Një pus mesjetar 17 metra i thellë është zbuluar para pak ditësh në dyshemenë e një godine qendrore të Qafës së Pazarit të Gjirokastrës.

E njohur ndryshe si 6-këndëshi, kjo ndërtesë prej vitesh administrohet nga Kastriot Dhrami, i cili shet aty suvenirë dhe punime artizanale.

Gjatë kohës që administratori i kësaj godine vendosi të bënte sistemime dhe modifikime të brendshme, ra në kontakt me pusin, për të cilin thotë se kishte dëgjuar kohë më parë të flitej nga të moshuarit.

Por Dhrami nuk e kishte menduar se pusi do të ishte pikërisht në këtë vend.

Tashmë që pusi ka dalë në dritë, “pronari” i ndërteës ka instaluar një prozhektor i cili mundëson shikimin me sy të lirë të thellësisë së pusit dhe të ujit që rrjedh në metrat e poshtëm të tij.

Pusi mendohet të ketë një moshë treshekullore dhe daton para ndërtimit të Pazarit Karakteristik nga osmanët dhe sot paraqitet në gjendje shumë të mirë.

“Këtë pus e kam gjetur para tre muajsh, por nuk kanë mbaruar akoma punimet, do e bëjmë që të jetë e vizitueshme nga kushdo. Ky pus është funksional dhe mendoj se është 300 vjeçar”, u shpreh pronari i ndërtesës Dhrami.

Në këtë pus niveli i ujit që dikur përdorej për t’u pirë është deri në lartësinë 5 metra.

Vepra e rrallë ka filluar të befasojë vizitorët, ndërsa i ka shtuar një tjetër atraksion turistik Pazarit Karakteristik të Gjirokastrës.

Banorët e vjetër të qytetit rrëfejnë gojëdhëna për të paktën 7 puse të ngjashme në Qafën e Pazarit, ku ka edhe një gojëdhënë për një sistem të sofistikuar furnizimi me ujë të lidhur me ujësjellësin e Ali Pashës, por këto gojëdhëna ende nuk janë vërtetuar.