Është publikuar një Shpallje publike për dorëzimin e kërkesave elektronike për mbështetjen financiare të investimeve për modernizimin e ekonomive bujqësore prej Programit për mbështetjen financiare të zhvillimit rural për vitin 2017, kumtoi sot Agjencia për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillimin rural.

Thirrja ka të bëjë me ngritjen e hardhive të reja më shumëvjeçare dhe plantacioneve me pemë, plantacioneve më shumëvjeçare me bimë aromatike dhe florë mjaltsjellëse dhe sipërfaqe të reja dhe furnizimin e gjedheve prej organizatave të njohura të kultivuesve të gjedheve nga Republika e Maqedonisë dhe nga importi.

Sipas Agjencisë, mjetet dedikohen për plantacione dhe gjedhe të furnizuara në periudhë prej 1 tetorit deri më 31 dhjetor 2016 dhe prej 1 janarit deri më 31 gusht 2017.

Afati përfundimtar për aplikim është 01 shtatori 2017, ndërsa kërkesat të cilat nuk janë dorëzuar në mënyrë elektronike nuk do të shqyrtohen.

Mbështetja financiare paguhet sipas parimit të bashkëfinancimit të investimeve të përfunduara dhe të paguara nga shfrytëzuesi në lartësi prej 50 për qind të vlerës së shpenzimeve të miratuara për investime.

Të drejtë shfrytëzimi të mjeteve kanë ekonomitë bujqësore të evidentuara në Regjistrin e vetëm të ekonomive bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, në pajtim me Ligjin për bujqësi dhe zhvillim rural.

Kërkesat dorëzohen në mënyrë elektronike pas regjistrimit të bërë në e-baranje.ipardpa.gov.mk. Informacione më të detajuara të interesuarit mund të marrin në qendrën për kontakt (02) 3097-460 ose në e-mail adresën kontaktuese: [email protected]  dhe në www.ipardpa.gov.mk.