Në vitin 2013, Neymar nuk kërkohej vetëm nga Real Madridi dhe Barcelona, por edhe nga Bayern. Asokohe trajner ishte Pep Guardiola, i cili e donte me ngulm brazilianin. Megjithatë, drejtuesit e klubit refuzuan dhe blenë mesfushorin Mario Götze.

Arsyen për këtë e ka shpjeguar së fundmi vetë presidenti i Bayern-it, Uli Hoeness. “Ne e kuptuam shpejt se negociatat do të ishin të vështira dhe kjo u mor vesh më pas, kur pamë se ç’hoqi Barcelona. Katalanasit duhet të bënin disa lëvizje të tjera për ta blerë. Nuk po flasim për shumën që do t’i paguhej klubit, por për shuma të tjera që duheshin paguar te disa persona. Një gjë të tillë ne nuk e bëjmë kurrë, kështu që refuzuam”, – ka thënë numri 1 i klubit më të madh në Gjermani.

Hoeness u referohet pagesave të cilat u janë bërë palëve të treta, si kompania që menaxhon lojtarin apo babai i tij si menaxher. Barcelona fillimisht pati njoftuar se ka paguar 57 milionë euro për 25-vjeçarin, por më pas rezultoi se ish-sulmuesi i Santosit ka kushtuar thuajse 100 milionë euro.