Dy liderë opozitarë në Venezuelë janë vënë në pranga pasi u bënë thirrje mbështetësve që të dalin në protesta. Leopoldo Lopez dhe Antonio Ledezma janë shoqëruar nga autoritetet ndërsa ende nuk dihet vend-ndodhja e tyre. Situata ne Venezuelë vijon të mbetet mjaft e tensionuar, ndërsa protestat nuk janë ndalur. Në këto kushte, është rritur ndjeshëm edhe presioni i ndërkombëtarëve mbi Presidentin Maduro.

Për shkak të aktivitetit të tyre politik, dy liderë opozitarë në Venezuelë janë vënë në pranga me akuzën e nxitjes së protestave të jashtëligjshme. Leopoldo Lopez dhe Antonio Ledezma janë shoqëruar nga autoritetet në momentin që ndodheshin në banesat respektike. Lajmi është raportuar nga bashkëshortet e dy opozitarëve, të cilat për më tepër shprehen se nuk kanë patur asnjë komunikim që prej momentit të arrestimit. Si rrjedhojë, ende nuk dihet vend-ndodhja e saktë e Leopoldo Lopez dhe Antonio Ledezma. Këta të fundit vetëm një ditë më parë u bënë thirrje mbështetësve që të mos ndalin demonstratat në rrugët dhe sheshet kryesore të qyteteve në Venezuelë.

Situata në vend vijon të mbetet mjaft e rënduar. Mijëra qytetarë kanë vazhduar të protestojnë, ndërsa bilanci i viktimave dhe i të plagosurve është mjaft negativ. Në këto kushte, faktori ndërkombëtar ka vijuar të ushtrojë presion ndaj qeverisë së Presidentit Nikolas Maduro. Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar se nuk do të njohin rezultatin e zgjedhjeve për asamblenë kushtetuese. Gjithashtu, Uashingtoni vendosi sanksine mbi liderin aktual të Venezuelës. Në një reagim për këtë cështje, Maduro u shpreh se kjo ishte një lëvizje e dëshpëruar e Presidentit Trump, të cilin me ironi e quajti perandor. Përvese problemeve politike, Venezuela është e zhytur në një krizë të thellë ekonomike.