Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e kardiologut dhe akademikut të njohur Ylli Popa, i cili u nda nga jeta ditën e sotme.

Përmes një njoftimi zyrtar, Kreu i Shtetit shprehet se Shqipëria ka humbur një njeri të shquar, një personaliteti të fushës së mjekësisë dhe kardiologjisë në vend.

 Meta thekson se Ylli Popa ka qenë ndër mjekët e parë që vunë themelet e kardiologjisë në Shqipëri.

MESAZHI I PLOTË:

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të akademikut dhe kardiologut të njohur, Ylli Popa.

Në mesazhin e tij, Presidenti i Republikës i shpreh ngushëllimet familjes për këtë humbje të madhe, duke u shprehur se, shkenca shqiptare ka humbur një personalitet të shquar dhe shoqëria shqiptare ka humbur një zë me identitet të spikatur.

“Shkenca shqiptare ka humbur një personalitet të shquar si prof. Ylli Popa. Shoqëria shqiptare ka humbur një zë  me identitet të spikatur.

Mjekësia shqiptare humbi një nga profesorët, i cili vuri gurë themeli në kardiologjinë shqiptare. Ngushëllime familjes për këtë humbje të madhe.

U preftë në paqe dhe vepra e puna e tij janë dhe do mbeten gjithmonë në  një vend të veçantë në historinë shkencës dhe akademizmit shqiptar”, shkruhet në mesazhin e ngushëllimit të Presidentit Meta.

Global