Ndërmarrja publike komunale Tetovë prej sonte gjysmë ore pas mesnate do të fillojë me restrikcione për dy orë e gjysmë në furnizimin me ujë, informoi Ndërmarrja publike komunale.

Ky vendim është sjellë me qëllim të furnizimit të barabartë me ujë të pijshëm të të gjithë qytetarëve në të gjitha lagjet e qytetit, ndërsa restrikcioni do të zgjasë prej orës 00:30 deri në orën 03:00. Shkaku kryesor për restrikcionin është derdhja e dobët e ujit të pijshëm në rezervuarët e qytetit dhe shfrytëzimi joracional i ujit nga qytetarët, kumtuan nga NPK Tetovë.

Sipas të dhënave të tyre, sasia e derdhjes së ujit të pijshëm në rezervuarët malor për momentin është 340 litra në sekondë ndërsa në Tetovë ka nevojë për rreth 500 litra në sekondë.

Për shkak të temperaturave të larta ditëve të fundit nga NPK Tetovë apelojnë për shfrytëzim racional të ujit të pijshëm pasi që, siç qëndron në kumtesë, vetëm kështu nuk do të ketë mungesë uji të pijshëm në lagjet e epërme në qytet.