Drejtori i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Mitrovicës, Fidan Ademi, është marrë në pyetje të mërkurën nga Policia e Kosovës.

Intervistimi i Ademit, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje – që bashkëqeveris Mitrovicën me Aleancën Kosova e Re – vjen pasi në media sot ka qarkulluar një foto e tij, ku ai shihet me një armë në dorë.

Policia ka bërë të ditur se po ashtu ka bastisur shtëpinë e Ademit të mërkurën. Në rezidencën e tij nuk është gjetur ndonjë armë, ka njoftuar Policia.

“Policia e Kosovës e ka intervistuar të dyshuarin që ka bërë foto me armë në dorë. Mbi bazë të asaj foto Policia e ka bastisur edhe shtëpinë e tij, mirëpo në shtëpinë e tij nuk është gjetur asnjë armë. As arma më të cilën ka dal në foto”, ka thënë për Gazetën Express, Avni Zahiti, zyrtar për informim në PK.

“Policia nuk e ka arrestuar atë, pasi ai i është përgjigjur ftesës dhe pas intervistës është liruar”, ka bërë të ditur Zahiti.

Ai ka treguar se me këtë rast më tutje do të merret Prokuroria, e cila mund të japë urdhër për arrestim apo jo.

Fotografia e Ademit me armë kishte nxitur reagim fillimisht nga dega në Mitrovicë e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila i ka ftuar organet përgjegjëse që të “merren me këtë person, i cili është pjesë e bandës kriminale të Dardan Molliqajt”.

Por, Ademi ka mohuar se në dorë ka pasur armë të vërtetë, duke thënë në një shkrim në Facebook se bëhet fjalë për një lodër, imitim të armës AK-47, e njohur gjerësisht si kallash.