Një situatë të pakëndshme e ka përjetuar gazetari i njohur i gazetës “Zëri” nga Kosova, Moral Pozhegu nga policia e Maqedonisë gjatë raportimit të ndeshjes së kthimit të fazës së play-off të LE-së mes Shkëndijës dhe Milanit, të enjten në Shkup.

Pozhegu për gazetën “Lajm” rrëfen sjelljen e vrazhdë të dy policëve maqedonas, të cilët e kanë penguar atë që të kryej punën e tij ashtu sic duhet.

“Isha duke e xhiruar me telefon ardhjen e ‘Ballistëve’ në stadium, rreth orës 19:50. Për një moment, dy policë mu afruan dhe filluan të flisnin me mua me një gjuhë të vrazhdë dhe duke më bërtitur, duke më urdhëruar që të largohesha prej vendit ku po incizoja. Ju tregova që jam gazetar dhe që e kam këtë të drejt. Po ashtu, ua shfaqa edhe akreditimin tim, por njëri prej tyre më shtyu dhe më tha se nuk e kam vendin aty”, tregon Pozhegu, gazetar në “Zëri”, duke shtuar:

“Në ato momente ‘Ballistët’ po këndonin UÇK, Adem Jashari dhe këngë kundër maqedonasve dhe duket se kjo i kishte irrituar policët, që e shfaqnin mllefin ndaj tifozëve përreth që po i shikonin ‘Ballistët’. Sjellja e policëve shkonte përtej çdo kufiri. Më dukeshin aq të vrazhdë dhe të mllefosur, njëjtë si dikur policët serbë në Kosovë”, tregom Pozhegu, gazetar i njohur i “Zërit” në Kosovë.

Shkëndija e humbi edhe ndeshjen e dytë kundër Milanit të madh, duke u përshëndetur denjësishtë nga garat e Ligës së Europës.