Mund të ketë gjetur qetësinë në Francë, shtet nga i cili nuk përfundon asnjëherë në media si “djalë i keq”, por në Itali ai mbetet po i njëjti.

Ish-lojtari i Interit e Milanit në Itali, Mario Balotelli, është ndaluar të shtunën e kaluar nga policia në Breshia teksa po lëvizte me Ferrarin e tij.

Arsyeja e ndalesës mësohet të ketë qenë shpejtësia e madhe me të cilën po lëvizte, pasi Balotelli po ngiste veturën e tij me shpejtësi hiç më pak se 200 kilometra në orë.

E përditshmja italiane “Il Giornale di Vicenza” shkruan se policia ka hasur në një Ferrari dhe një Lamborghini atë natë që po lëviznin tej normave të lejuara.

Ndërsa më vonë është bërë e ditur se Ferrari është drejtuar nga futbollisti i njohur, ndërsa Lamborghini nga një mik i tij.

Për këtë shkelje që ka bërë, lojtarit të Nices i janë shqiptuar pesë pika negative, me ç’rast është dënuar edhe me gjobë nga Policia Italiane.

Ndërkohë i çuditshëm ka qenë edhe reagimi i Balotellit, i cili disa çaste më vonë ka publikuar një video në rrjetet sociale, duke demantuar shkeljen e bërë.