Pas debutimit në sportin e boksit, Conor McGregor ka marë sot një tjetër sfidë për t’u përballur, këtë herë nga një tjetër kampion absolut i sportit të pishinës, amerikani Michael Phelps.

Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare “Twitter”, sportisti me më shumë medalje olimpike ka sfiduar kampionin irlandez të arteve marciale mikse në një tjetër garë. “Pas gjithë këtyre fjalëve…a bëjmë një garë së bashku?”, ka qenë komenti i Phelps.

Nuk dihet nëse notari amerikan e ka seriozisht këtë sfidë, apo është thjesht një shashkë e hedhur në gjithë këtë rrëmujë që krijoi përballja e boksit mes Conor McGregor dhe Floyd Mayëeather, fituar nga ky i fundit me “KO teknik” në raundin e 10-të. Por një përballje në pishinë mes kampionit të notit dhe atij të kafazit duket edhe më e pamundur për McGregor, që nëse në ring rezistoi 10 raunde, në pishinë do ta ketë edhe më të vështirë ndaj një “peshkaqeni” si Phelps.