Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) po shqyrton disa kandidatura për zgjedhjet lokale të 15 tetorit.

Nga kjo parti ende nuk ka vendim zyrtar, por janë dy kandidatura që po i shqyrton dega e Likovës dhe kreu i PDSH-së për ti nxjerrë në garën e 15 tetorit.

Njëri kandidat është Orhan Ibrahimi – nënkryetari i PDSH që vjen nga kjo zonë, por edhe Ragmi Isufi, kryetar aktual i degës së PDSH-së në Likovë, informon INA.

Kryetari i kësaj partie Menduh Thaçi ka qëndruar në komunën e Likovës, ku ka zhvilluar një takim me strukturat për ti informuar për zgjedhjet lokale dhe koalicionimet e mundshme. Ai ka folur edhe për pozicionimin e tij karshi BDI-së dhe partive tjera në pushtet.

“Nuk bëjmë koalicion me këta që janë në pushtet. Ka pas shpifje se këto janë me BDI, Alinë. Është e qartë se skemi marrëveshje dhe koalicionimi. Po pse ulemi me të. E para për të ulur konfliktin politik mes shqiptarëve. E dyta si parti më e vjetër dhe me më përvojë ekziston bindja në Shqipëri dhe Kosovë se ne duhet ti ndihmojmë ti realizojmë interesat shqiptare. Por ne deshëm ta konsumojmë këtë dhe ti bindim Tiranën dhe Prishtinën se nuk ka ndihmë për Ali Ahmetin.  Sepse ata i kanë shit drutë që në fillim, para 16 vjetve.

Sa i përket bashkëpunimit me Lëvizjen BESA, Thaçi tha se ka bërë përpjekje maksimale për tu bërë kjo.

“Unë thash maksimumin dhe qasjen e sinqertë për të arritur marrëveshje koalicionimi me Lëvizjen BESA. Fatkeqësisht nuk arritëm. Nuk kemi marrëveshje për zgjedhjet lokale dhe nuk duhet të shkojë një hap më tej për tu mos u keqkuptuar. Mendoj se ata duhet të jenë të kujdesshëm, për shkak se sot me kohë përcaktohet pozita si opozitar.”, theksoi Thaçi.