Partia Demokratike e Kosovës, selia e degës së Prishtinës, ka njoftuar se do të mbajë konferencë për media në orën 13:00.

Nuk është bërë e ditur se për çka saktësisht do të bëhet fjalë në konferencën e thirrur për në orën 13:00 nga Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë, mirëpo tash e disa ditë kjo degë e kishte cak Vetëvendosjen dhe Shpend Ahmetin, njofton Gazeta Express.

Konferenca mbahet në Zyrën e Partisë Demokratike, të Prishtinës në lagjen “Pejton”.

PDK, po hyn në javën e tretë të konferencave akuzuese ndaj Vetëvendosjes dhe Shpend Ahmetit, mirëpo, ende nuk kanë treguar nëse kanë deponuar në Prokurori ndonjë dokument për shkeljet që pretendojnë se i ka bërë udhëheqja e Prishtinës.

Për dallim prej tyre, Shpend Ahmeti, kur kishte marrë pushtetin, për një muaj, kishte deponuar në Prokurori plot 70 dosje, me pretendime se janë shkelje ligjore e veprime kriminale të Isa Mustafës dhe ish-udhëheqjes së Prishtinës. Për shkak të këtyre dosjeve, disa inspektorë, janë duke u gjykuar për shkatërrim të Prishtinës. Mirëpo, ende as Isa Mustafa dhe asnjë drejtor i tij nuk janë prekur nga veprimet e Prokurorisë lidhur me pretendimet e Ahmetit.

PDK, në anën tjetër, ka prezantuar disa fakte, që sipas tyre, tregojnë se Shpend Ahmeti i detyruar prej Dardan Molliqajt, ka kriminalizaur pushtetin në Prishtinë, duke punësuar militantë partiakë, si dhe duke dhënë leje ndërtimi miqve e shokëve.