Partia Demokratike thotë se ka përcjellë këto ditë shqetësimin e shumë familjeve, veçanërisht atyre me të ardhura të pakta, për çmimet e rritura të teksteve shkollore të arsimit të detyrueshëm dhe sistemin klientelist të shpërndarjes së tyre.

Deputeti Luçiano Boçi në një reagim gjatë ditës së sotme thotë se përgjigjja e Ministres së Arsimit Lindita Nikolla, për këtë shqetësim ishte jo vetëm arrogante, por sipas tij, edhe dëshmi e injorancës së saj mbi përgjegjësinë e detyrës që ushtron.

Ai shprehet, të gjitha procedurat e hartimit, shpërndarjes dhe vendosjes së çmimit për tekstet shkollore edhe këtë vit si çdo vit tjetër janë kryer nga ministrja Nikolla. Për shkak të indiferencës së saj ndaj interesit publik e paaftësisë së saj dhe stafit të saj, të gjitha këto procedura janë bërë me vonesë dhe në mënyrë amatore, nënvizohet më tej, duke shtuar se kjo ka sjellë mungesë tekstesh, sistem klientelist shpërndarjeje me pak pika, çmime të rritura, dhe në shumë raste tekste me cilësi të dobët.

“Qëndrimi ynë për këtë çështje është i thjeshtë: prioriteti i qeverisë duhet të jetë mbështetja e arsimit fillor, duke ofruar falas tekstet shkollore. Qëndrimi i ministres dhe shefit të saj ka qenë po ashtu i qartë: prioriteti kanë qenë rindërtimi i fasadës së ministrisë dhe blerja e kolltuqeve luksoze për zyra, për të cilat kanë harxhuar miliona euro”, deklaron Boçi.

Nëse, siç shprehet deputeti demokrat, ministrja është e gatshme të përmirësohet, le ta fillojë reflektimin duke lënë kolltukun e zyrës për të takuar prindërit, shprehet deputeti demokrat.

Ai shton se i gjen ata në radhët e gjatë, në mes të vapës, duke harxhuar kursimet e mbledhura me mund për diçka që duhet të ishte falas. “E ardhmja e vendit kërkon që qeveria të ketë prioritet librin dhe jo kolltukun. Hapi i parë për këtë gjë është propozimi ynë për tekste falas për të gjithë fëmijët në arsimin e detyrueshëm”, thotë në mbyllje deputeti demokrat.

?Ministra e Arsimit Lindita Nikolla, i’u kundërpërgjigj deklaratave të kryedemokratit Lulzim Bashës duke thënë se “dikasterin e arsimit e drejton një e zgjedhura juaj”. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Nikolla shkroi se “e zgjedhura e Bashës ka qenë shumë aktive në çoroditjen e dikasterit përmes vendimeve e veprimeve të paligjshme”. Nikolla e informon Bashën se është e pavërtetë që librat shkollorë janë falas për të gjithë në të gjithë rajonin.