Alternativa, nëpërmes një komunikate, ka bërë të ditur se sot në mesditë është zhvilluar një takim mes udhëheqësve të LDK’së, Vetëvendosjes, AKR’së e Alternatives.

Pjesëmarrës në takim kanë qenë Mimoza Kusari, Ilir Deda, Behgjet Pacolli, Korab Sejdiu, Isa Mustafa, Albin Kurti dhe Dardan Sejdiu.

“Në takim u diskutua për hapat e radhës në zhbllokimin e situatës së krijuar pas seancës së djeshme në Kuvendin e Kosovës. Të gjithë u dakorduan se domosdoshmëria e lëvizjes së procesit të konstituimit të Kuvendit është shumë e madhe dhe takimet në mes të VV, LDK, AKR dhe Alternativa do të vazhdojnë me intenzitet të shtuar”, thuhet në komunikatën e Alternatives.

Ndërsa, në orët e pasditës u takuan udhëheqësit e koalicionit LAA.

Në këtë takim bëhet e ditur se partitë e koalicionit caktuan anëtarët e grupit punues politik dhe atij programor me VV si dhe arritën harmonizimin e qendrimeve të koalicionit LAA për prioritetet qeverisëse të Kosovës duke u dakorduar për intensifikim të dialogut me VV prej fillimit të javës së ardhëshme.

Pas dakordimit për platformën qeverisëse partitë e LAA dhe VV do të jenë të hapura për të krijuar koncenzusin e nevojshëm për qeverisjen e re dhe temat e rëndësisë së veçantë për Kosovën.