Edhe pse shtypi francez ka kritikuar paraqitjen e Marco Verrattit në ndeshjet e para sezonale, drejtuesit e PSG-së kanë vendosur t’i rinovojnë kontratën mesfushorit italian deri në vitin 2022.

Natyrisht që sot në mbrëmje, të gjithë presin debutimin e Neymar në “Parc de Prince”, por në fushë do të jetë edhe Verratti, që pas një vere të çmendur dhe të mbushur me thashetheme në lidhje me transferimin e tij do të vazhdojë të luajë me PSG-në.

Menaxheri i tij i ri, Mino Raiola, ka nisur bisedimet me drejtuesit e skuadrës franceze për të shtyrë kontratën deri në vitin 2022. Nga kontrata e re, lojtari pritet të përfitojë 1 milionë euro në muaj, pra 12 milionë në vit.

Gjatë muajve të fundit thuajse u konsiderua i kryer transferimi i Verratti te skuadra e Barcelonës, por në fakt ndodhi një lëvizje në kah të kundërt, pasi nga klubi “blaugrana” erdhi te PSG brazliani Neymar.

Por “L’Equipe” ka shprehur kritika në lidhje me rendimentin e Verratti, duke deklaruar se loja e tij ka pësuar një rënie: driblon më pak, prek më pak topa dhe bën më shumë faulla.

Këto të dhëna nuk shqetësojnë trajnerin Unai Emery, që i ka besuar sërish mëesfushorit italian, duke i dhënë “çelësat” e lojës. Ndaj PSG është gati t’i rinovojë kontratën, për ta blinduar përgjithnjë talentin italian.

Global