Kabineti i ri 46-anëtarësh i Pakistanit u betua të premten në kryeqytetin Islamabad pas shkarkimit në fund të muajit të kaluar të ish-kryeministrit Nawaz Sharif për shkak të skandalit të dokumenteve të Panamasë, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Mamnoon Hussain administroi betimin e kabinetit, i cili përfshin një ministër të krishterë dhe një hindus, për të përfaqësuar dy minoritetet kryesore në Pakistanin e dominuar nga muslimanët.

Kryeministri i sapozgjedhur Shahid Khaqan Abbasi – ish ministër i Naftës – thuhet se zgjodhi kabinetin e tij pas konsultimit me kryeministrin e shkarkuar, i cili thuhet se ende mban kryesimin e partisë.

Ligjvënësit e Pakistanit votuan kryeministrin Abbasi më herët gjatë kësaj jave.

Ish-ministri i Mbrojtjes Asif Khawaja emërohet ministër i Jashtëm. Gjatë katër viteve të fundit, Pakistani nuk kishte ministër të Jashtëm. Në vend të kësaj, Sartaj Aziz shërbeu si këshilltar i kryeministrit për punët e jashtme.

Ish-ministri i Brendshëm, Chaudhry Nisar Ali Khan, nuk është pjesë e kabinetit të ri, siç thuhet, për shkak të dallimeve me Sharif. Ai është zëvendësuar nga Ahsan Iqbal, i cili shërbeu si ministër i planifikimit në kabinetin e Sharif.

Khurram Dastagir Khan është emëruar si ministër i ri i Mbrojtjes së vendit, ndërsa Ishaq Dar, një i afërm i ngushtë i Sharif, vazhdon të jetë ministër i Financave.

Dy përkrahës të fortë të Sharif, Danyal Aziz dhe Talal Chaudhry, të cilët e mbrojtën ish-kryeministrin gjatë seancës dëgjimore lidhur me letrat e Panamasë, gjithashtu janë përfshirë në kabinet si ministra pa resor.

Ndryshe, në fund të muajit korrik, ish-kryeministri Nawaz Sharif u tërhoq nga detyra e tij pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Pakistanit për shkarkimin e tij për përfshirje të disa anëtarëve të familjes së tij në skandalin e dokumenteve të Panamasë.

Sharif u akuzua për parregullsi financiare, keqpërdorim të autoritetit dhe fshehje të pasurive që kanë të bëjnë me kompanitë off-shore dhe pronat multi-milionë dollarëshe të lidhura me anëtarët e familjes.

Gjykata Kushtetuese e Pakistanit paraprakisht kishte vendosur për themelimin e një komisioni prej gjashtë anëtarësh për të hetuar pohimet lidhur me dokumentet e Panamasë dhe ndaj familjes Sharif.

JIT, në të cilin gjenden edhe dy përfaqësues të inteligjencës, më herët ka hetuar dy fëmijët e Sharifit, vëllain dhe dy bashkëpunëtorë të ngushtë.

Në raportin e JIT-it thuhej se “Ekziston dallim i konsiderueshëm mes pasurisë së deklaruar të të pandehurve dhe pasurisë së fituar nga burime të njohura”.

Edhe pse ligjet e Pakistanit nuk ndalojnë pronësinë mbi kompani ‘off-shore’, opozita kishte pohuar se këto para janë fituar përmes “ryshfetit dhe korrupsionit”.

Edhe gjatë përvojës paraprake si kryeministër, Sharif nuk e kishte përmbushur periudhën e mandatit.

Sharif i ka mohuar pohimet për korrupsion ndaj tij, duke e cilësuar si “të padrejtë” hetimin e nisur. Simpatizantët e Sharifit kanë pohuar se ndaj kryeministrit është përgatitur komplot për ta larguar atë nga detyra.

Në prill të vitit 2016, i biri i madh i Sharifit, Husejin Nawaz, pranoi se familja e tij ka kompani ‘off-shore’ dhe prona të patundshme jashtë vendit. Ai kishte theksuar se transferimi i parave jashtë vendit është ligjor dhe kishte refuzuar ta deklaronte pasurinë e tij.