Në Konsullatën e Përgjithshme Shqiptare në Selanik Rama emëroi militantët e PS-së, të cilët nuk plotësonin asnjë kriter diplomatik, të sigurisë kombëtare dhe të katit të tretë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Nga Arben Llalla

Kryeministri Edi Rama kritikoi ashpër diplomatët shqiptarë në takimin e përvitshëm që mbajnë këta të fundit për llogaridhënie dhe prespektivën diplomatike për të ardhmen. Rama foli me gjuhën kritike dhe fyese sikur të ishte udhëheqësi i opozitës dhe jo përcaktuesi i diplomatëve shqiptarë nëpër botë.

Unë pajtohem plotësisht me etiketimin e diplomatëve shqiptarë nga kryeministri Rama si: “Ende kemi diplomatë delenxhinj, pazarxhinj, s’po zbres deri te shoferët e ambasadave, ku akoma gjendet ndonjë timionier kaçak”.

Por, Rama nuk është i sinqertë dhe i vërtetë, sepse shumica e diplomatëve shqiptarë, të cilët i etiketoi me frazat më të ulëta janë emëruar nga vetë ai. Ata janë diplomatë që vijnë nga rrethi i tij i ngushtë shoqëror. (Faktet që shumica e diplomatëve janë të afërt e rrethit të Ramës dihen. Nëse ka nevojë ia përmend lidhjet e tarafit duke filluar nga Fuga e me radhë). Prandaj zoti Rama bën mirë para se të japë ndonjë deklaratë të shikohet në pasqyrë duke bërë krahasime. Shikimi në pasqyrë i jep mundësinë që të mundi unin e tij, këtë njeri brenda njeriut.

Prej disa kohësh kam qortuar pa asnjë prapavijë politike dhe karriere për kriteret e ulëta për caktimin diplomat gjatë kohës që Edi Rama ka qeverisur Shqipërinë nga 2013 (të njëjtën gjë kam bërë edhe me kryeministër Berishën për diplomacinë rrugaçore 2005-2013).

Disa diplomatë shqiptarë nuk e kuptojnë rëndësinë e postit që kanë, të punës së tyre, prandaj Shqipëria pas viteve 1990 është përballur shpesh me skandalet e shkaktuara nga këta zyrtarë jo të ndërgjegjshëm. Shumë diplomatë shqiptarë janë arrestuar për trafik të lëndëve narkotike, disa janë kapur nga shërbimet e huaja nën shoqërinë e prostitutave të rëndomta. Shqipëria ka nevojë për t’u përfaqësuar denjësisht nga diplomatë seriozë, nëse pretendojmë të jemi një vend i rëndësishëm në politikën e Ballkanit, por me diplomatë që vijnë nga rruga, të cilët nuk përmbushin asnjë kriter profesional do të vazhdojmë të na shohin si një shtet i brishtë që është ndërtuar mbi një kala prej rëre.

Gjithnjë Ministria e Punëve të Jashtme ngjan si një uzinë që prodhon jo më diplomatë, por servila, sahanlëpirës. Kuptohet se ka edhe diplomatë që ne krenohemi që shërbejnë në shumë vende.

Denoncimi më 25 mars 2015

Të dhëna rreth emërimit diplomat në Konsullatën e Përgjithshme Shqiptare në Selanik të militantëve të PS-së, të cilët nuk plotësonin asnjë kriter diplomatik, të sigurisë kombëtare dhe të katit të tretë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

(Kur botova këto të dhëna Rama me miqtë e tij hodhën helm nëpër rrethin e përbashkët shoqëror që po ai çfarë ka që na kritikon. Zoti Rama unë nuk kam asgjë personale me asnjë politikan apo qenie njerëzore, unë dua që ne të ndihemi krenarë dhe e njoh më shumë se çdo njeri funksionimin e diplomacisë shqiptare në Ballkan.)

Konsullja e Përgjithshme e Konsullatës në Selanik Pavlian Evro-Ylli u caktua në këtë postë pa asnjë kriter diplomatike dhe sigurie. Ajo ka letra greke si minoritare dhe prej vitesh përflitet për njohje të thella me personalitete greke dhe të minoritetit që promovojnë autonominë e Veriut të Epirit-Aneksimi i Jugut.

Një rast dramatik të punësimit diplomat në Konsullatën e Selanikuk kemi atë të Artur Porpollogu, sekretar i përgjithshëm i konsullatës, i cili vjen nga 20 vjet emigracion në Greqi, në qytetin e Verias.

Artur Porpollogu ka qenë kryetar i Shoqatës “Solidariteti” në Veria dhe ka patur kontakte të rregullta me kryetarin e Bashkisë së Verias, por edhe me shefin e policisë së këtij qyteti. Që nga viti 2011, ai ka qenë këshilltar në Bashkinë e Verias dhe është shoqëruar shpesh me anëtarë të organizatës OMONIA, të cilët nuk promovojnë miqësinë greko-shqiptare, por propagandojnë greqizmin e jugut të Shqipërisë. Veprime të tilla të diplomatit Artur Propollogu bien ndesh me betimin diplomatik për mbrojtjen e interesave shtetërore shqiptare.

Vite më parë Artur Propollogu është parë disa herë në fushatën parazgjedhore në Greqi duke propaganduar për partinë e PASOK, në shoqërinë e ish-ministrit të punëve të brendshme, zotit Mihalis Krisohoidhis. Propollogu doli diplomat nga puna në tregun e fruta-perimeve në Veria, falë kontributit partiak ndër vite.