Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani sot u takua me përfaqësuesin e UNICEF-it në Republikën e Maqedonisë, Benxhamin Perks.

Në takim, Osmani siç njofton Zyra për informim e SÇE-së, ka falënderuar Benxhamin Perks lidhur me aktivitetet e vazhdueshme të cilat i zbaton UNICEF në Republikën e Maqedonisë, qëllimi i së cilit është mbështetja dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve.

“Në bashkëpunim me institucionet shtetërore, shoqëritë civile, por edhe ekspertë, UNICEF bëri shumë lidhur me përmirësimin e jetesës së shumë fëmijëve në vend, veçanërisht kategorive më të prekura. Për këtë jemi falënderues si vend, por dua edhe ta shpreh falënderimin tim të sinqertë”, deklaroi Osmani.

Zëvendëskryeministri Osmani, shtohet më tej, është falënderuar edhe për mbështetjen e fuqishme si dhe rolin e UNICEF-it gjatë kohës së krizës së migrantëve, përmes sigurimit të ndihmës për fëmijët – refugjatë dhe emigrantë që kalojnë përmes vendit tonë, duke i marrë në konsideratë nevojat e tyre bazike si ushqim, ujë, veshmbathje etj.

Ai shtoi se aspiratat e Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian bazohen pikërisht në pranimin dhe zbatimin e vlerave evropiane, siç është mbrojtja dhe avancimi e të drejtave të fëmijëve.

Dy bashkëbiseduesit u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit në periudhën e ardhshme dhe me sukses të zbatojnë programet e reja prioritare të UNICEF-it për Republikën e Maqedonisë, 2016-2020.

Nga viti 1993, kur filloi me punë, UNICEF Maqedoni zbatoi projekte të dedikuarapër fëmijë në vlerë prej më shumë se 13 milionë euro.