Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Bujar Osmani, sot e nënshkroi plotësimin e Marrëveshjes për financim të IPA programit për bashkëpunim ndërkufitar mes Republikës se Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës për vitin 2013, me çka edhe ligjërisht IPA mjetet e këtij programi vihen në dispozicion për financim të projektit strategjik Beljanovc -Stançiq.

Kësaj i parapriu vendim i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë me çka Osmani mori autorizimin për nënshkrim të plotësimit të marrëveshjes për financim të IPA-s.

“Me përkushtim të madh u punua për plotësimin e të gjitha kushteve të domosdoshme, të cilat ishin të nevojshme për fillimin e realizimit të këtij projekti. Një prej aktiviteteve më të rëndësishme ishte ndërtimi i rrugës deri tek kalimi i ri kufitar, i cili u financua prej mjeteve nacionale në shumë prej rreth 6.000.000 eurosh”, tha Osmani për mediat.

Ai shtoi se bëhet fjalë për kalim kufitar të përbashkët, ku organet kufitare do të ndajnë një ndërtese të përbashkët e cila gjendet në territoret e dy vendeve.

Prej këtu rrjedh edhe kompleksiteti i këtij projekti, për fillimin dhe realizimin e të cilit ishte e nevojshme të bëhen konsultime dhe harmonizime gjithë-përfshirëse të procedurave, në pajtim me legjislacionet e dy shteteve, që padyshim kërkonte shumë kohë.

Pas harmonizimit afatgjatë të procedurave për përpunim të dokumentacionit urbanistik dhe projektues, ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme dhe vënies në përdorim të kalimit kufitar, ndarjes së shpenzimeve operative dhe kryerjes së kontrolleve kufitare etj, gjatë ditës së nesërme do të vijojë nënshkrimi i Protokollit mes dy vendeve, me të cilin të gjitha procedurat do të finalizohen.