Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i kërkoi sot presidentit amerikan, Donald Trump të ndërpresë sulmet e tij kundër medias në SHBA duke theksuar se ato prekin një themel të demokracisë dhe rrezikon të inkurajojnë praktika të tilla edhe në vende të tjera.

“Deklaratat e presidentit amerikan janë shumë shqetësuese sepse ato degradojnë rolin thelbësor që luan media në të gjithë shoqëritë demokratike”, vlerësoi përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias, Harlem Désir.

“Gjatë një fjalimi në Feniks (Arizona) më 22 gusht, Trump kishte akuzuar kryesisht median se është dukshëm e pandershme, e kalbur dhe se krijon histori nga më të ndryshmet”, thekson OSBE-ja, përcjell Atsh.

“Duke e cilësuar median si armike të popullit, presidenti amerikan mohon jo vetëm legjitimitetin e tyre, por ai bën që gazetarët të jenë potencialisht shënjestër e dhunës”, vazhdon Desir.

OSBE-ja është një organizatë me 57 vende anëtare, nga SHBA-ja në Mongoli, duke kaluar nga Kanadaja, gjithë kontinenti evropian, Azia Qendrore dhe Rusia.