Kuvendi i Shqipërisë ka kursyer nga pagat e deputetëve rreth 14 milionë lekë, për katërmujorin e parë të vitit 2017.

Ndërkohë, kësaj shifre kursimi i shtohen dhe rreth 11 milionë lekë kontribut i sigurimeve shoqërore.

Kjo për faktin se kjo periudhë përkon me bojkotin e opozitës në Kuvend, e cila ngriti çadrën e protestës në bulevard me kërkesën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në raportin e monitorimit të buxhetit për vitin 2017, Kuvendi thekson se për 4-mujorin e parë ishte parashikuar një fond 116 milionë lekësh për paga, por është realizuar vetëm në shifrën prej 88 për qind, shkruan gazeta Shekulli.

Deputetët e Partisë Demokratike në 3 muaj bojkot, jo vetëm kanë humbur pagesat që iu akordohen për veprimtaritë parlamentare, si 2 mijë lekë për çdo pjesëmarrje në komision apo dhe pagesa shtesë të tjera, por nuk janë paguar as për ditët e punës.

Sipas raportit, Kuvendi nuk ka kursyer vetëm në pagat e deputetëve, por edhe në shpenzimet e tjera, përfshirë ato administrative.

Për vitin 2017, janë planifikuar fonde për paga për një numër prej 405 personash, ku përfshihet stafi politik, përfshirë dhe stafin e zyrave zgjedhore në rrethe.

Janë rreth 17 milionë lekë të kursyera, përfshirë paga dhe kontribut të sigurimeve shoqërore për këto kategori.