Edhe pse për qeverinë dhe policinë nuk ka kanabis të mbjellë, ai i magazinuar duket se është i pafundë. Vetëm në dy operacione të djeshme në Itali dhe Shqipëri janë kapur më shumë se 1.3 ton kanabis sativa, i gjithi prodhim vendas shqiptarë.

Kjo situatë ka sjellë ditën e sotme një deklaratë të Guardia di Financës në lidhje me drogën e kapur dje në Itali, e që shkonte në rreth 6 milionë euro.

Në këtë deklaratë për shtyp Guardia di Financa italiane informon gjithashtu se prej fillimit të vitit 2017 janë sekuestruar përmes detit rreth 24 tonë marijuanë dhe se vetëm dega e Pulias ka arrestuar 32 skafistë. Ndërkohë në të njëjtën periudhë të vitit 2016, janë sekuestruar rreth 22 tonë marijuanë.

Brindisi dhe Leçe janë dy qytete italianë që gjendet jo më larg se 100 km në vijë ajërore nga brigjet shqiptare. Ndërsa Guardia di Financa shprehet se rreth 24 ton drogë janë sekuestruar në këtë hapësirë ku Italia kufizohet më Shqipërinë, çka supozon se shumica e drogës së kapur në këto brigje ka ardhur nga Shqipëria.

Edhe raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Europol thuhet se vendi ynë mbetet një rrugë trafiku droge për vendet e tjera. Trafiku i drogës në drejtim të vendit fqinj, në Itali, është bërë shqetësues edhe për autoritet italiane edhe për këtë vit. Këto të fundit, në disa deklarata kanë bërë të ditur se shumica e drogës që është kapur në Itali ka prejardhjen nga Shqipëria.

Sasia më e madhe e kapur është ajo prej 8 ton kanabis, e cila u kap në Itali. Kjo sasi e madhe droge u bllokua nga Guardia di Finanza në zonën e Venezias, Itali në një kamion në muajin shkurt. Ndërsa muaji qershor e ndjek me 6 ton drogë të sekuestruar që vinte nga Shqipëria drejt brigjeve italiane.

Kujtojmë këtu edhe rastin e arrestimit të doganierëve të portit të Durrësit të cilët lejuan kalimin e afërsisht 10 ton drogë nga vendi ynë për në brigjet Italiane.

Shifra të tillë tregojnë se droga e ardhur nga Shqipëria është duke përmbytur brigjet italiane me tonalata. Një tablo kjo që, perpos raporteve ndërkombëtare për kanabisin apo sasive të kapura, refuzohet të pranohet nga autoritetet dhe qeveria shqiptare.

Kjo e fundit, me në krye kryeministrin Rama kanë dhënë zotimin se brenda këtij viti do të mbyllet çështja e kanabisit, por ajo që mbetet faktike janë tonalatat e mëdha të drogës të trafikuara, që jo vetëm nuk po pakësohen, përkundrazi, kanë rritje nga viti i kaluar, sipas policisë italiane.

Në një situatë të tillë ku trafiku i kanabisit ka kapur shifra rekord, qeveria shqiptare jep deklarata naive duke u shprehur se nuk ka më sipërfaqe të mbjella me kanabis në vend, si dhe ky problem do të ketë marrë fund me mbylljen e këtij viti.

Atëherë nga vjen kjo rritje e trafikut të kanabisit dhe nga dalin këto tonelata të kapura, kryesisht me Italinë, që e kanë kthyer Shqipërinë në Kolumbinë e Europës?