LSDM në Komunën e Likovës vjen për të sjellë Maqedoninë sa më afër shqiptarëve të kësaj ane. Nuk duhet lejuar propagandën e individëve të cilët trumbetonin izolimin dhe getoizimin e Likovës me arsyetimin se shteti nuk na do dhe ne nuk duhet ta duam, ndërsa ata personalisht qëndronin në kolltuqe biznesesh ose të politikës

Hadi Osmani

Si emër tanimë të gjithë më njihni. Shumë prej jush edhe nga afër më njihni e shumë të tjerë më paragjykoni. Ka edhe nga ju që më etiketoni e ofendoni. Unë jam i vetëdijshëm për sfidën të cilës i kam hy dhe për pasojat që mbart kjo sfidë. Angazhimi im profesional, politik mund të definohet shumë thjesht, një angazhim personal për të cilin askujt nuk jam i detyruar t’i jap llogari.

Por sqarimi që dua të bëjë sot ka të bëjë me diçka më shumë se personale. Me një mision që i kemi ngarkuar vetes unë më shumë shokë. Angazhimi ynë në LSDM nuk u prit mirë nga të gjithë, e aq më pak nga partitë politike me prefiks shqiptar ose me anëtarësi dominante shqiptare. I kuptoj edhe ata, konkurrenca në politik shpesh njeh edhe akuza të pabaza. Por mua më mbetet obligim moral të bëj një sqarim para qytetarit të rëndomtë, lexuesit, votuesit, etj. Dikush e lidhi angazhimin tonë me interesin personal, por nuk e menduan se vijmë të gjithë nga profesione, punë e familje me një standard të mirë jetësor.

Politika ka mundur vetëm të na dëmtojë. Por ajo që na tërhoqi është mundësia për t’i hapur vendit dhe shoqërisë tonë një horizont të ri, ndryshe nga ai i deritanishmi. Jemi mësuar të dëgjojmë ankesa e ndarje, etnike, krahinore e politike. Kemi dëgjuar akuza se shteti diskriminon shqiptarët e prandaj shqiptarët me shumë të drejtë nuk e ndjejnë këtë shtet si të vetin. As e para e as e dyta nuk na shpien përpara. Edhe Maqedonia ka nevojë për shqiptarët e këtushëm, por edhe shqiptarët kanë nevojë për Maqedoninë. Nuk guxojmë të lejojmë të kemi iluzione e të jetojmë në një shtet të cilin nuk e ndjejmë si tonin. Shteti ka përgjegjësi, por edhe benificione. Si pasojë e qasjes së deritanishme shqiptarët e Maqedonisë janë privuar nga shumë benificione të shtetit. Në veçanti Komuna e Likovës këto pasoja i ka ndjerë më së rëndi. Një ndër komunat më pak të zhvilluar, thuajse pa perpektivë deri më tani dhe me një fluks në rritje të të shpërngulurve. Ky ishte shkaku përse unë me shumë shokë u angazhuam në LSDM.

Dihet që shteti është një organizëm kompleks, ndërsa partitë janë ndër organet më të rëndësishme të këtij organizmi. Andaj ne filluam nga partitë. Qëllimi i hyrjes së LSDM-së në Komunën e Likovës nuk është tjetërsimi apo asimilimi i shqiptarëve. Shqiptarët nuk kanë mundur të asimilohen ndër shekuj, as nga Perandoria Osmane e as nga Jugosllavia. Qëllimi ynë ishte që LSDM-në ta bëjmë të hapur dhe të prekshme edhe për shqiptarët, ndërsa Komunën e Likovës të prekshme edhe për LSDM-në. E përmes kësaj partie ne duam të bëjmë shtetin të hapur e të dobishëm për Komunën e Likovës, ndërsa Komunën e Likovës dhe shqiptarët e Komunës tonë pjesë të pandashme të këtij shteti dhe sistemi. Hidhërimet, ndasitë dhe praktika e deritanishme solli një anarki në Komunën e Likovës dhe asnjë qindarkë investim. Ne duam ta kthejmë shtetin në Likovë, por bashkë me shtetin duam të kthejmë edhe përgjegjësitë dhe të mirat që bart shteti.

Gjithsesi se duam të kthejmë edhe përgjegjësitë e banorëve të Likovës ndaj shtetit. Ne duam një Komunë të Likovës ku do të investohet njëjtë si në gjitha komunat e tjera, ku do të veprohet e punohet njëjtë si në komunat e tjera, me një fjalë, duam një Komunë ku do të jetohet njëjtë si në komunat e tjera. Shteti gjithsesi do të ketë benefit nëse një Komunë do të rikthehet në sistem dhe do të jetë pjesë e një organizmi të shëndoshë. LSDM në Komunën e Likovës vjen për të sjellë Maqedoninë sa më afër shqiptarëve të kësaj ane. Nuk duhet lejuar propagandën e individëve të cilët trumbetonin izolimin dhe getoizimin e Likovës me arsyetimin se shteti nuk na do dhe ne nuk duhet ta duam, ndërsa ata personalisht qëndronin në kolltuqe biznesesh ose të politikës. Përgjegjësia bashkë me benefitet duhet të trokasin edhe në Komunën e Likovës.

(Autori është kolumunist dhe vepron në Zvicër)