Nga Qenan Aliu

Miq të dashur, Në një republikë, siç pretendon të jetë Maqedonia, të zgjedhurit do të duhej të viheshin në shërbim të qytetarëve, duke garantuar një shtet ligjor, i cili trajton të gjithë njësoj para ligjit. Por realiteti është ndryshe. Nëse Kushtetuta e Maqedonisë do t‘i përshtatej realitetit qeverisës në këto 27 vjet qeverisje e vetëqeverisjes, ajo do të duhej të shkruhej kështu: NE, PUSHTETARËT E MAQEDONISË ;- Të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të begatë për veten, bashkë-partiakët dhe familjet tona, në një atdhe i cili na takon vetëm neve dhe askujt tjetër; Të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të pabarabartë, i cili garanton të drejta dhe liri vetëm për pushtetarë, dhe i vendos ata mbi ligjin; Të zotuar që Maqedonia të jetë shtet i mirëqenies ekonomike dhe i prosperitetit social për ne dhe familjet tona; Të sigurt që qeverisja jonë do ta mbajë Maqedoninë të izoluar nga rajoni dhe mbarë Evropa, duke krijuar marrëdhënie ekonomike e politike me të gjitha shtetet fqinje vetëm për interesat tona dhe dinastive tona ; Në mënyrë solemne, miratojmë Kushtetutën e Kakistokracisë së Maqedonisë: Kakistokracia do të jetë forma e qeverisjes në Shtetin e Kapur të Maqedonisë, e cila garanton që njerëzit më të paskrupullt do të udhëheqin me shtetin. Maqedonia nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti. Madje Maqedonia dhe ne pushtetarët nuk kemi pretendime territoriale ndaj vendeve fqinje përveç ndaj një pjese të Vodnos dhe të gjitha hapësirave publike në pronësi të shtetit . Sovraniteti i Shtetit të Kapur të Maqedonisë është i cënueshëm, i tjetërsueshëm dhe rrezikohet për interesa të ulëta biznesore e politike. Maqedonia është kakistokraci e bazuar në parimin e kapjes së pushteteve, dhe kontrolli e balancimi i pushtetit në mes të anëtarëve të partisë ose koalicionit qeverisës; Kuvendi i Shtetit të Kapur të Maqedonisë ushtron funksione tregtare, ku deputetët e shkëmbejnë votën e tyre për terminale, poste ambasadorësh, mbyllje të proceseve gjyqësore. Ligjet, vendimet dhe aktet e tjera bllokohen në Kuvend me tekat të ndryshme të deputetëve. Presidenti i Maqedonisë zgjidhet nga qytetarët por në shkëmbim të favoreve. Presidenti përfaqëson unitetin e partisë së tij, është garantues i bllokadës dhe kapjes së institucioneve brenda vendit, dhe person i papërfillshëm jashtë vendit. Gjykatat gjykojnë në bazë të ligjit të më të fortit e më të kamurit. Gjykata Kushtetuese është institucion më i lartë për interpretimin e Kushtetutës sipas nevojave të partisë apo koalicionit në pushtet. Bizneset do të drejtohen nga vëllezërit e pushtetarëve dhe miqtë e akrabatë tona. Kakistokracia e Maqedonisë ka institucionet e veta për shkeljen e rendit kushtetues dhe rrezikimin e sigurisë publike për mbrojtjen e sigurisë personale të pushtetarëve. Gjuhë zyrtare në Kakistokracinë e Maqedonisë është gjuha e më të fortit. Korrupsionii e krimi janë simbolet shtetërore të Maqedonisë të cilat pasqyrojnë karakterin e pushtetarëve të saj. Rendi kushtetues në Maqedoni bazohet në shantazh, keqpërdorim të parasë publike, shkelje të të drejtave dhe lirive të qytetarëve, uzurpim të pronës, degradim të mjedisit, padrejtësi sociale, kapje të pushtetit shtetëror dhe ekonomi fisnore. Kakistokracia e Maqedonisë garanton degradimin e trashëgimisë kulturore dhe prishjen e harmonisë fetare. Monopolet dhe uzurpimi i pronës shtetërore janë baza e rregullimit ekonomik. Në Kakistokracinë e Maqedonisë si mjet i vlefshëm pagese përdoret vota. Dinjiteti i njeriut në Maqedoni është i cënueshëm. Të gjithë janë të pabarabartë para ligjit, kurse pushtetarët janë mbi ligjin. Askujt nuk i garantohet integriteti fizik e psikik po as jeta private. Dhuna është e ndaluar, përveç në rastet kur ka të bëjë me sigurimin e votave dhe pushtetit. Askush nuk mund të privohet nga jeta, me përjashtim të rasteve kur dikush është dëshmitar i mbrojtur në proceset gjyqësore kundër pushtetarëve. Çdo kujt mund t’i cenohet prona, jeta private dhe familjare, t’i përgjohen bisedat telefonike e komunikimet elektronike, t’i publikohen privatësitë. Dokumentet që mbajnë institucionet publike dhe organet shtetërore janë sekrete, sidomos shpenzimet për dreka zyrtare, udhëtime jashtë vendit, shpenzimet nga kredit kartelat, kontratat etj. Çdo shtetas i Kakistokracisë së Maqedonisë që ka arritur moshën 18 vjeç, gëzon të drejtën që të zgjedhë dhe të zgjidhet, por pushteti i takon vetëm trashigimtarëve të kryengritjes. Vota është e shitshme, familjare dhe klanore. Secili person gëzon të drejtën e shkollimit themelor pa pagesë në institucionet arsimore, të mbushura me militantë partish. Çdokush gëzon të drejtën që të vdesë në institucionet shëndetësore të Maqedonisë, kurse kujdesi shëndetësor ofrohet në vendet më të zhvilluara. Secili person është i lirë të zgjedhë profesionin dhe t’i bashkohet radhës së të papunëve me diploma. Çdokush e ka lirinë e shprehjes dhe lartësimit të pushtetarëve. Ata që kritikojnë do të blihen, ata që nuk blihen do të rrahen. Televizioni publik i Kakistokracisë është mediumi zyrtar, një ndër detyrat e të cilit është shpërndarja e barabartë e përgjegjësive tek të gjithë qytetarët e Maqedonisë për shpërdorimet dhe krimet e kryera nga pushtetarët. Në Kakistokraci askush nuk duhet të jetë i ndershëm. Liria e lëvizjes brenda territorit të Maqedonisë (përveç me autobusët e transportit publik në Shkup) edhe ate vetëm ditën është e garantuar. Kushtetuta e Kakistokracisë së Maqedonisë është në fuqi që nga viti 1991 dhe me plot amandamente pas vitit 2001 !