Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se të gjitha opsionet janë në tavolinë pasi Koreja Veriore e shkrepi sot një raketë balistike, e cila fluturoi mbi Japoni.

Raketa u hodh pak para orës 6:00 në Japoni, e cila ngriti alarmin në pjesën veriore të vendit duke u bërë thirrje njerëzve të kërkojnë strehim, transmeton Express.

“Bota sapo e mori mesazhin më të fundit të Koresë Veriore shumë qartazi. Ky regjim ka sinjalizuar për shpërfillje ndaj fqinjëve, ndaj të gjithë anëtarëve të Kombeve të Bashkuara dhe ndaj standardeve minimale të sjelljes së pranueshme ndërkombëtare,” ka thënë Trump.

Po ashtu, edhe Japonia ka qenë e shpejtë në dënimin e hedhjes së raketës balistike nga Veriu, duke e quajtur provokim të paparë.

“Do të japim një kundërpërgjigje të fortë,” ka thënë ministri i Punëve të Jashtme i Japonisë, Taro Kono.

Ai ka shtuar: “Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë si me gojë ashtu edhe me shkrim se presidenti Trump ka udhëzuar që të gjitha opsionet të vihen mbi tavolinë sa i përket Koresë Veriore, dhe unë e çmoj këtë qëndrim.”