Pas akuzave të ditëve të fundit nga ana e kreut të opozitës, Lulzim Basha, lidhur me çmimin e librave shkollorë  në Shqipëri, ka ardhur dhe reagimi i Ministres së Arsimit Lindita Nikolla.

Kjo e fundit përmes një statusi në Facebook, ka theksuar se menjëherë sapo të marrë detyrën e Ministres do të ftojë Bashën në takim për të dëgjuar propozimet e tij dhe të PD-së për sa i përket sistemit arsimor dhe problemeve që ai ka.

Ja postimi i Nikollës:

Zoti Basha, mbase e keni harruar që prej më shumë se tre muajsh, dikasterin e arsimit e drejton një e zgjedhura juaj. Prandaj po jua kujtoj!

Mbase nuk e dini edhe që pavarësisht dorëheqjes, e zgjedhura juaj ka qënë shumë aktive në çoroditjen e dikasterit përmes vendimeve e veprimeve të paligjshme. Ndërkohë që mund të ju kish informuar për organizimin e shpërndarjes së librave duke i dhënë fund evazionit, si dhe për paketën e teksteve që lidhet me kurrikulën e re.

Prandaj po jua bëj me dije.

Dhe së fundi, mbase nuk e dini, por është e pavërtetë që librat shkollorë janë falas për të gjithë në të gjithë rajonin. Prandaj po iu informoj.

Megjithatë, me të marrë zyrtarisht detyrën e Ministres së Arsimit, Sportit e Rinisë, une do iu kërkoj një takim për të dëgjuar idetë tuaja dhe në vazhdimësi, do te dëgjoj me respekt çdo ide a sugjerim tuajin apo të grupit tuaj parlamentar.

Shumë faleminderit dhe suksese në detyrën tuaj si kryetar i opozitës në katër vitet e ardhshme.