Pas kalimit të skuadrës së basketbollit Gostivar – 2015 në ligën e parë, Komuna e Gostivarit në bashkëpunim me bizneset lokale kanë mundësuar nisjen e projektit për shtrimin e fushës së basketbollit në Palestrën Sportive Rinia.

Ky ishte një premtim i para pak muajve ndaj skuadrës, i Kryetarit të Komunës Nevzat Bejta.

“Kur kryesia e klubit të basketbollit Gostivar – 2015 më vizitoi në Komunë pak muaj më parë, për të njoftuar zyrtarisht për suksesin e kalimit në ligën e parë, më dhuruan dresin me numrin 1. Kjo, natyrisht, ishte përgjegjësi e madhe për mua pasi, edhe pse në mënyrë simbolike, u bëra pjesë e skuadrës. Dhe kush nuk bën çdo gjë për skuadrën e vetë?!” tha për mediat z. Bejta.

Ai tha se projekti për vendosjen e parketit të basketbollit në Palestrën Sportive Rinia nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e bizneseve dhe shtoi se Komuna do të vazhdojë përkrahjen për skuadrën.

“Ky investim, me mjete nga komuna dhe bizneset e qytetit, është vetëm koshi i parë që ne si Komunë duam të shënojmë për skuadrën tonë. I urojmë Gostivarit – 2015 suksese dhe u themi se Komunën dhe qytetin i kanë pranë në çdo përballje që do të keni,” tha kryetari i Komunës.

Investimi kap vlerën e 60 mijë eurove.