Në Universitetin e Tetovës vijon procesi i aplikimit për regjistrimin e studentëve të rinj, për vitin akademik 2017/2018. Deri më tani, respektivisht në ditën e tretë të regjistrimit të kandidatëve të rinj, në mbi 100 drejtimet studimore të fakulteteve të Universitetit tonë kanë aplikuar një numër i konsiderueshëm i maturantëve, të cilët dëshirojnë që studimet e tyre në të ardhmen t’i ndjekin në Universitetin e Tetovës.

Kandidatët më së shumti kanë aplikuar në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, Fakultetin e Kulturës Fizike, Fakultetin e Arteve, Fakultetin Filologjik, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin Juridik, Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore, Fakultetin Filozofik dhe Fakultetin Pedagogjik. Interesimi i aplikantëve nuk ka munguar edhe në programet studimore të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Fakultetin e Bujqësisë, Fakultetin e Shkencave të Zbatuara, si dhe në Fakultetin e Administrim Biznesit në Kumanovë.

Përveç maturantëve nga vendi ynë, në mesin e aplikantëve ka edhe kandidatë nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë. Ndërsa për të gjithë të interesuarit të cilët ende nuk kanë aplikuar në ndonjërin nga fakultetet tona, për shkak të festës së Kurban Bajramit, procesi i regjistrimit do të zhvillohet edhe ditën e hënë, më 4 shtator.