Seanca sotme konstituive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit.

Kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, tha se në sallë janë 53 deputetë, prandaj nuk ka kuorum.

Ai propozoi pauzë 15 minutëshe në mënyrë që të presin mos po vijnë deputetët e koalicionit PAN.

“Nëse vijnë mirë, nëse jo përshëndetemi”, tha Mikullovci.

Seanca e sotme është thirrur nga kryesuesi Adem Mikullovci pas dështimit të vazhdimit të seancës konstituive ditën e djeshme për shkak po ashtu të mungesës së kuorumit.

Koalicioni PAN ka premtuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme.

Gjatë seancës së djeshme, Kuvendi nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët për shkak se në fillim u vonuan deputetët e koalicionit PAN, e pasi erdhën kërkuan pauzë 2 orëshe kohë gjatë të cilës do të merreshin vesh për emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.

Kjo kërkesë u hodh në votim dhe kërkesa u refuzua dhe më pas kryesuesi e mbylli seancën.