Edhe përkundër hetimeve intensive për gjetjen dhe arrestimin e Goran Grujevskit dhe Nikolla Boshkovskit, akoma asnjë gjurmë nuk ka për ta. Nga Ministria e Punëve të Brendshme, janë shprehur se po punohet intensivisht për gjetjen dhe arrestimin e tyre.
Policia po ashtu vazhdon të hetojë edhe rastin se si, personat e lartpërmendur, kanë marrë pushimin mjekësor si shkak i problemeve shëndetësore.

Po punohet intensivisht për kapjen e Goran Grujevskit dhe Nikolla Boshkovskit. Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, për çdo ditë frekuenton vendet ku ka të dhënat se mund të jenë, ndërkohë është ngritur edhe flet arrest ndërkombëtarë. Deri në këto momente nuk ka të dhëna për vendndodhjen e saktë të të njëjtëve, dhe as që e kanë lëshuar shtetin ilegalisht sepse në mënyrë legale nuk ka të dhëna nga kufijtë se kanë dalë nga shteti – njoftojnë nga MPB-ja.

Nga ana tjetër, ekspertët e sigurisë shprehen se personat e lartpërmendur, duke marrë parasysh edhe funksionin e tyre të mëparshëm, ka mundësi që me logjistikë nga ish kolegët e tyre të jenë larguar nga shteti. Sipas profesorit Bashkim Selmani, defekti qëndron tek policia, e cila ende nuk e ka ngritur si duhet nivelin e kërkimit të tyre.

Organet policore janë në testin e fundit për krijimin e imazhit të ri, sepse nëse është në pyetje pjesa shqiptare ata arrestojnë një lagje për një fajësi, ndërsa këtu për dy personat e dyshuar nuk ka ende asnjë përpjekje të nivelit të lartë, dhe pjesa e dytë ku dyshimi është më i lartë, të njëjtët funksionar mund edhe të kenë identitete të tjera të rrejshme që e vështirëson edhe më shumë kapjen e tyre. Dhe pjesa tjetër më me rëndësi, as tek Interpoli Maqedonia nuk e ka venduar sistemin në alarm –  deklaroi Bashkim Selmani, profesor në USHT.

Grujevski dhe Boshkovski akuzohen për rastet “Fortesa” dhe “Target” përmes të cilave Specialja pritet të gjejë përgjigjen se kush ka urdhëruar dhe përgjuar në mënyrë ilegale në Maqedoni./alsat-m