Nën ndikim të ciklonit sot do të ketë ndryshim të motit. Gjatë ditës do të rriten vranësirat dhe do të fryjë erë e fortë, në pjesët perëndimore  me drejtim perëndimor dhe juglindor, ndërsa në pjesët lindore  me drejtim jugor. Pasdite do të ketë paraqitje lokale të shirave të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Nga fundi i ditës edhe gjatë natës në disa vende proceset do të jenë më intensive, lokalisht edhe në formën e stuhive me shi më intensiv të rrëmbyeshëm, erë të fortë dhe paraqitje të mundshme të breshrit, veçanërisht në pjesët verilindore.

Nga fundi i ditës  do të ketë paraqitje të  motit të stuhishëm edhe në luginën e Shkupit. UV indeksi do të jetë me vlerën 9.

Temperatura e mëngjesit do të lëvizë nga 17 deri në 23 gradë, ndërsa ajo ditore nga 28 deri në 39 gradë celsius.

Të dielën do të fryjë erë e përforcuar veriore, ndërsa temperatura e ditës dukshëm do të zvogëlohet, në disa vende edhe për më shumë se 10 gradë. Nga e hëna moti do të jetë stabil me rritje graduale të temperaturës së ditës, por në kuadër të mesatares për këtë periudhë të vitit.