Juventusi humbet shërbimet e Claudio Marchisios për një muaj. Mesfushori bardhezi është duke iu nënshtruar kontrolleve mjekësore në Barcelonë për shkak të problemeve që ka shfaqur në gjurin e majtë, për të cilin një vit më parë iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Ka lindur nevoja që futbollisti t’i nënshtrohet një terapie specifike dhe një regjimi intensiv për përforcimin e muskujve. Për këtë arsye nuk do të jetë i gatshëm për 3 ose 4 javët e ardhshme”, lexohet në komunikatën per shtyp të klubit juventin.

Marchisio do të mungojë kështu në transfertën e Barcelonës për takimin e planifikuar në 12 shtator të Champions League.

Ndërsa në kampionat do të humbasë transfertën  në “Marassi” përballë Genoas, gjithashtu nuk do të jetë i pranishëm në sfidën kundër Chievos, asaj ndaj Sassuolos dhe Fiorentinës si dhe do të mungojë në derbin ndaj Torinos.

Rikthimi i tij pritet të jetë brenda datës 27 shtator në ndeshjen e dyte të Champions përballë Olympiacos.