Ministria e shëndetësisë hedh poshtë pretendimet e një ditë më parë të familjarëve të trinjakëve të cilët ndërruan jetë në Klinikën për gjinekologji në Shkup, se foshnjat kanë ndërruar jetë si pasojë e mungesës së inkubatorëve.

Nga Ministria e Shëndetësisë shpjegojnë se nëna e trineqëve ka pasur komplikime shëndetësore që më herët, ku edhe ka qenë tre herë e shtruar në spitalin e Tetovës. Ajo gjithashtu ka vuajtur nga diabeti dhe hipertensioni, të cilat kanë rrezikuar edhe më shumë shtatzëninë e saj.

Ministri Taravarai ka takuar familjarët dhe stafin përgjegjës të Klinikës në fjalë, për t’i sqaruar dilemat. Në komunikatën e këtij dikasterit theksohet se në rast të konstatimit të ndonjë parregullsie gjatë trajtimit të të sapolindurve, do të merren masat e duhura ligjore.