Sektori për revizion të brendshëm pranë Ministrisë së Kulturës në mënyrë të hollësishme do ta hetojë harxhimin e mjeteve nga kartelat zyrtare prej vitit 2011 e deri tani. Nëse konfirmohen lëshime dhe parregullsi, kumtoi sot Ministria dikasteriale, për to do të njoftohen organet kompetente, të cilat janë të obliguara për veprim të mëtejshëm dhe ngritjen e procedurave adekuate kundër të gjithë personave të involvuar.

Paralajmërimi për hetim të hollësishëm të harxhimeve është pjesë e aktiviteteve konkrete të Ministrisë së Kulturës, pasi janë publikuar informata të karakterit publik për harxhimet përmes kartelave zyrtare të bartësve të funksioneve më të larta në strukturat e këtij resori nga viti 2011 e deri tani. Siç theksojnë nga Ministria e Kulturës, veçmë po ndërmerren aktivitete konkrete për konfirmimin e mënyrës, në të cilën janë shfrytëzuar kartela nga ana e funksionarëve dhe të gjithë personave të autorizuar nga kabinetet e tyre në këtë resor për këtë periudhë.

“Do të donim ta përkujtojmë opinionin se kartelat zyrtare u janë ndarë funksionarëve për harxhime lidhur ekskluzivisht me aktivitetet e tyre zyrtare dhe nevojat në rast kur kjo është me të vërtetë e paanulueshme, e jo për nevoja dhe harxhime personale”, potencojnë nga Ministria e Kulturës.