Mungesa e hapjes së dialogut politik për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet partive politike, ka bërë që Republika e Kosovës edhe një herë të përballet me një situatë bllokuese për krijimin e institucioneve të reja. Edhe pse koalicioni PAN-n (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën), kanë dal fituese në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, prapë se prapë nuk po arrijnë të krijojnë institucionet në fjalë.

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, disa herë ka ftuar publikisht në konsultime partitë politike, që nuk kanë dal fituese në zgjedhjet e fundit në vend, si koalicionin LAN (Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re, dhe Alternativa), dhe Lëvizjen Vetëvendosje, për mundësinë e bashkëpunimit, në mënyrë që vendi mos të përballet me situate bllokuese për krijimin e institucioneve të reja, njofton Kosova Info.

Madje, z.. Haradinaj kishte vizituar edhe familjen e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ku në këtë takim kishte kërkuar mbështetjen e deputetes Teuta Rugova, që vota e saj jetë për Ramush Haradinaj kryeministër.

Meqë znj. Teuta Rugova, në mënyrë publike ka vendosur që vota e saj të jetë pro, që Ramush Haradinaj të jetë kryeministër I Republikës së Kosovës, disa deputete që tashmë janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, kanë filluar ‘gjahun’ në mënyrë të fshehtë, që të jenë pjesë e Qeverisë së Re.

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, të premten në shtëpinë e tij, ka qenë nikoqir i Mimoza Kusari-Lila, e cila ka kërkuar që nëse z. Pacolli vendos që t’i bashkëngjitet koalicionit PAN, për krijimin e institucioneve të reja, edhe ajo të jetë pjesë e këtyre ‘pazareve’.

Meqë kohëve të fundit është përmendur në media se i pari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, është në konsultimeve më koalicionin PAN, që partia e tij të jetë pjesë e krijimit të Qeverisë së re, deri më tani, z. Pacolli, ka deklaruar në media se AKR nuk ka asnjë marrëveshje me koalicionin PAN, dhe se zgjidhjen e situatës bllokues e sheh në krijimin e një Qeverie gjithëpërfshirëse.

Në pyetjen drejtuar znj. Mimoza Kusari-Lila, nga Kosova.Info, se a është takuar me z. Pacolli në shtëpinë e tij, të premten për mundësinë që edhe ajo të jetë pjesë e ‘pazareve politike’, për krijimin e insittucioeve të reja, ajo e ka mohuar një takim të tillë.

“Nuk është e vërtetë se jam takuar me z. Pacolli”, është përgjigjur për Kosova.Info, znj Kusari-Lila.

Megjithatë, burime të Kosova. Info, bëjnë të ditur se znj. Kusari-Lila, fillimisht, para takimit me z. Pacolli, ka takuar zyrtarë të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, dhe pas këtij takimi, ajo është takuar më z. Pacolli.

Në këtë takim, znj. Kusari-Lila, sipas burimeve, i ka kërkuar z.Pacollit që nëse ai do të jetë pjesë e ekzekutivit , ajo znj. Kusari-Lila të udhëheq me Ministrinë e Financave.

Ndërkaq, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, nuk është përgjigjur në pyetjen e parashtruar nga Kosova.Info, se a është takuar me znj. Kusari-Lila.

Në anën tjetër, deputeti më i ri i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, nga partia poltika NISMApërmes rrjetit social Facebook, ka shkruar se zhbllokimi I institucioneve është vetëm në dorën e Behgjet Pacollit.

“Ju kam drejtu para disa ditëve, shumë njerëzisht, Kadri Veselit, për mu tërheqë nga posti i kryetarit të Parlamentit. Tash po të drejtohem Ty, Behgjet Pacolli, duke ta njohur kulturën familjare dhe politike: Thirre arsyen në ndërgjegjen Tënde, edhe votoje kryesinë e Parlamentit, që Kosova të ecë përpara. Votoje, sepse aty i ke paketë të gjithë: edhe të koalicionit LAA, edhe të VV. Pastaj për Qeverinë bëje si të duash”, ka shkruar Zeka në rrjetin Facebook.

Me tutje ai ka shkruar se “Po ta them këtë Behgjet Pacolli, sepse ti më partnerët e tu, nuk ke asnjë marrëveshje për me blloku Kosovën. Po ta them këtë, sepse, nëse diçka varët nga vota ime, dhe t’i do ma kërkoja, unë do ta garantoja atë votë publikisht. Ja të flasim në mënyrë hipotetike: Qeveria Haradinaj do të dështojë. Ju do të krijonit një qeveri teknike, ku vota ime do të vendoste. Unë do të kisha mbështetur.

“Ta mbarojmë një çështje teknike, në mënyrë që të ecim përpara. Mendo tek Kosova, pastaj tek vetja, e në fund tek LAA. Kjo lutje shkon edhe për partnerët e tu, sidomos Isa Mustafën. Mirë është ai njëri, në këtë moshë pleqërie, me shku në atë botë, me një vepër të mirë!!!”, ka përfunduar Zeka.

Përndryshe, në mungesë të deputetëve të koalicionit PAN, është shtyrë konstituimi i Kuvendit për të premten, por as të premten deputetët e këtij koalicioni nuk morën pjesë në seancë.

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se pas takimit konsultativ të përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare, është vendosur që një takim i ngjashëm konsultativ, me vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të mbahet të mërkurën, më 9 gusht.