Herën e fundit kishte hyrë në sallën e njëjtë para 28 vjetësh.

Deputeti më i ri i Kuvendit, por më i vjetri në moshë Adem Mikullovci  kthehet sërish në karriget e sallës ku në vitin 1989 Kosovës iu hoq autonomia që kishte,  me një vendim  të Kuvendit të atëhershëm kur Mikullovci ishte deputet dhe votoi kundër heqjes së autonomisë.

Por,  aktori i mirënjohur kosovar i cili mori më shumë se 10 mijë vota në zgjedhjet e 11 qershorit nesër për disa orë do ta udhëheq seancën konstituive ku pritet të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e ri të Kuvendit.

Kjo detyrë Mikullovcit i takon pasi që është më i vjetri në moshë.

Ndonëse ka 78 vjet dhe në gjendje jo të mirë shëndetësore Mikullovci tha se është përgatitur që nesër të drejtojë seancën konstituive.

“Nesër do të jem në Kuvend për të udhëhequr seancën”, tha Mikullovci për KosovaPress.

Sipas rregullores së Kuvendit seancën konstituive do ta udhëheq deputeti më i vjetër në moshë dhe ai më i ri.

Ndihmëse e Mikullovcit do të jetë deputetja Teuta Rugova.

Për të bijën e ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, kjo është hera e dytë që e ndihmon deputetin më të vjetër për të udhëhequr seancë konstituive.