Angela Merkel filloi zyrtarisht fushatën zgjedhore dhe takimin e parë elektoral zgjodhi ta bëjë nga një bastion i kundërshtarëve të saj, Dortmundi.

Pikërisht në këtë qytet, ku socialdemokratët mposhtin kristiandemokratët, kancelarja gjermane nisi rrugëtimin e takimeve për të kërkuar mandatin e katërt në krye të ekonomisë më të fuqishme të Europës.

Rreth 800 vetë ndodheshin në takimin e organizuar në Dortmund, ku Merkel foli për punën e bërë në luftën kundër papunësisë dhe objektivit për përgjysmimin e të papunëve për mandatin e ardhshëm.

Merkel u bëri thirrje kristiandemokratëve të bëjnë një fushatë zgjedhore aktive.

“Ne duhet t’i bëjmë njerëzit për vete, duhet të luftojmë, duhet të angazhohemi për çështjet tona”, tha Merkel.

Ndërkohë, socialdemokratët kanë ashpërsuar tonet ndaj kancelares. Kreu i grupit parlamentar të tyre në Bundestag, Thomas Opperman tha se koha e Merkel ka marrë fund. Ai deklaroi se prej vitesh, Angela Merkel po gëzon sukseset e reformave ekonomike të nisura nga kancelari i fundit socialdemokrat, Gerhard Shroeder.

Megjithë akuzat e socialdemokratëve, sondazhet e deritanishme flasin për një avantazh të dukshëm të Angela Merkel përballë Martin Schulz.

Gjermanët do të votojnë më 24 shtator.