Ditë vendimtare për të ardhmen e Ledian Memushajt. Tashmë është e sigurtë që mesfushori i kombëtares shqiptare do të largohet nga Pescara, për të provuar një eksperiencë të re në një tjetër skuadër. Lënia jashtë listës së lojtarëve të grumbulluar nga ana e trajnerit Zdenek Zeman për sfidën e Kupës së Italisë ndaj Triestinës ishte një sinjal mëse i qartë se aventurës së 30-vjecarit nga Vlora te klubi abrucez i ka ardhur fundi, shkruan Supersport. Por nëse deri përpara pak ditësh dukej si i sigurtë kalimi i Memushajt te Sioni në Superligën zvicerane, në garë sëfundmi për të marrë shërbimet e kuqeziut është futur fuqishëm Benevento klubi i sapongjitur në Serinë A dhe ka shumë gjasa që Memushaj të mos largohet nga Italia.

Do të jetë një konkurencë e fortë dyshe mes Sionit të Paolo Tramezzanit dhe Beneventos madje drejtuesit e klubit nga Jugu i Italisë kanë programuar një takim me përfaqësues të Pescarës dhe menaxherit e futbollistit për të arritur një marrëveshje. Megjithatë pas hyrjes në garë të Beneventos duhet pritur lëvizja e rradhës që do të bëjë Sioni, pasi ish ndihmësi i Gianni De Biasit te Shqipëria, Paolo Tramezzanni e dëshiron me cdo kusht në skuadrën e tij mesfushorin shqiptar. Nëse transferohet në Zvicër Memushaj do të ketë shok skuadre Ermir Lenjanin ndërsa nëse zgjedh të qëndrojë në Itali, duke kaluar te Benevento do të luajë në të njëjtin ekip me një tjetër futbollist të kombëtares shqiptare pikërisht Berat Gjimshitin.