I merituari i Klubit Futbollistik Shkëndija, Lazim Destani, o sikur ndeshja me Milanin të luhej në Tetovën tonë, çfarë kënaqësie përjetimesh sportive do kishim, sa flamuj kombëtarë do valonin së bashku me ngjyrat kuq e zi të dy ekipeve kundërshtare. Atë ditë Tetova do bëhej krenare në qendrën e vëmendjes europiane. Do vinin simpatizantë, të ri e të reja, tifozë e dashamirë të Shkëndijës rradhë rradhë e palë palë, kuq e zi, nga të gjitha trojet shqiptare, nga të katër anët e Tetovës, me këngë e brohoritje Shkëndija, Shkëndija, Shkëndija…,nga Shqipëria, Kosova, Presheva e Bujanovci, nga qytetet tjera shqiptare në Maqedoni për të përjetuar këtë ngjarje të paharruar sportive. Sa shumë do përfitonin jo vetëm tetovarët me ardhjen e miqve, por edhe miqtë me mirëpritjen e zemërgjërësinë e tetovarëve. Do bëhej një spektakël jo vetëm mbrenda stadiumit të Tetovës, por edhe jashtë saj nëpër rrugët, restorantet dhe kafenet Tetovare, do ju tregonim europianëve se ne shqiptarët e Maqedonisë e duam futbollin më shumë se popujt e ngritur të europës, do bëheshin shembull e mikëpritjes tetovare.

Prandaj, i dashur Lazim Destani, të lutemi sinqerisht, herët tjera na mundësoni që fitoret e sukseset europiane të Klubit Futbollistik Shkëndija t’i pērjetojmë jo në qytetet tjera Strumicë e  Shkup, por në Tetovën tonë të dashur e të bukur.

Shkruan: Sulejman Mehazi