Skënderbeu ka të drejtë të ankohet për gjykimin e ndeshjes së sotme ndaj Dinamos së Zagrebit, ku shumë episode ishin kundër skuadrës shqiptare.

Për këtë janë të ndërgjegjshëm edhe në mediat kroate, ku mes të tjerave portali “index.hr”, i ka dalë qartësisht në krah korçarëve.

Ky portal është ndalur në momentet e golit që iu anulua në minutat e para skuadrës shqiptare, kur Latifi dërgoi topin në rrjetë, por u cilësua në pozicion jashtë loje.

“Gjyqtari ndihmoi Dinamon, shqiptarëve iu mohua një gol i rregullt në ‘Maksimir’”, ishte titulli i artikullit në fjalë për episodin e minutës së 10-të.

Ai tregonte nëpërmjet pamjeve se si Vangjeli nuk ishte në pozicion jashtë loje në momentin kur Gavazaj nisi pasimin e drejt tij dhe as Latifi nuk ishte gjithashtu në pozicion jashtë loje kur mori topin nga mbrojtësi për ta dërguar në rrjetë.