Maqedonia dhe Bullgaria sot në Shkup nënshkruajnë marrëveshje për miqësi me qëllim që të ndërtojnë marrëdhënie më të afërta dhe ta përforcojnë bashkëpunimin bilateral, paralajmërojnë mediat greke.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe kolegu i tij bullgar, Bojko Borisov do të takohen sot në Shkup që ta nënshkruajnë “marrëveshjen historike”,  njofton “Katimerini” duke shtuar se të dy ministrat do të vendosin lule në përmendoren e Goce Dellçevit “të cilin të dy vendet e vlerësojnë hero të tyre kombëtar”.

“Në një deklaratë javën e kaluar, kryeministri i Maqedonisë insistoi në atë se marrëveshja për miqësi nuk do të ndikojë në asnjë mënyrë  ndaj interesave të Maqedonisë, ndërsa në fjalimin në Parlamentin në Sofje, gjithashtu javën e kaluar, kryeministri bullgar theksoi se marrëveshja do ta bëjë Maqedoninë aleat stabil me të cilin Bullgaria ndan vlera të përbashkëta të BE-së dhe NATO-s”, shkruan gazeta.