Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do të dorëzojë notë deri tek Ministria kroate e Bujqësisë për ndalimin e Rregullores për kontroll gjatë importit të frutave dhe perimeve që është sjellë më 15 korrik të këtij viti. Siç kumtoi sot ministri resor Lupço Nikollovski, një notë e tillë do t’u dorëzohet edhe institucioneve kompetente të Komisionit Evropian në Bruksel.

Rregullorja do të shqyrtohet edhe sonte në seancë qeveritare, ndërsa të hënën pritet qëndrim i përbashkët të sjellin edhe vendet e rajonit.

“Me Rregulloren e re të cilën e solli Kroacia në mënyrë të konsiderueshme rriten shpenzimet gjatë eksportit të frutave dhe perimeve të freskëta të Maqedonisë, që do të ndikojë mbi rritjen e çmimit të fundit të kostos së produktit. Me çmime të rritura, frutat dhe perimet e Maqedonisë do të jenë jokonkurrente në treg”, theksoi Nikollovski.

Sipas tij, me sjelljen e Rregullores bëhet edhe diskriminimi ndaj vendeve anëtare të BE-së për të cilat shpenzimet për mbikëqyrje inspektuese mbeten 90 kuna, ndërsa për vendet e treta, të cilat nuk janë anëtare të BE-së shpenzimet do të jenë 2.000 kuna.

“Lartësia e këtyre shpenzimeve është joreale, duke e pasur parasysh se kontrollet kanë të bëjnë me kontrollin fizik të produkteve”, nënvizoi ministri.

Nikollovski shtoi se Kroacia si vende anëtare e BE-së duhet ta respektojë Marrëveshjen për stabilizim dhe asociim që Maqedonia e ka kontraktuar me BE-në dhe në pajtim me së cilën BE do t’i pezullojë taksat doganore dhe të tjera të cilat kanë efekt të njëjtë për importimin e produkteve bujqësore me origjinë nga Republika e Maqedonisë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, ministri Nikollovski përmendi se tani për tani nuk ka informacione për çfarëdo dëmesh, por duhet të mbrohet prodhimi vendor dhe të veprohet në mënyrë parimore, në pajtim me marrëveshjet ndërkombëtare.

Nikollovski informoi se në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi ministrat kompetent të Maqedonisë, Serbisë dhe BeH-së të hënën në Sarajevë do të takohen që ta definojnë qëndrimin e përbashkët dhe së bashku të reagojnë.