Ministri i Mbrojtjes i SHBA-së, Xhejms Matis në takim me liderin ukrainas në Kiev e akuzoi Rusinë se po tenton me forcë t’i ndryshojë kufijtë ndërkombëtarë, transmeton BTA.

“Uashingtoni nuk e pranon aneksimin e Krimesë nga ana e Moskës”, theksoi ai.

Ministri amerikan sot ka biseduar me presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko dhe me përfaqësues të Qeverisë ukrainase, pas çfarë mori pjesë në paradën me rastin e 26 vjetorit të pavarësisë së Ukrainës. Ai është sekretari i parë amerikan i Mbrojtjes i cili e ka vizituar vendin për këto 10 vitet e fundit.

Në takimin me Poroshenkon, Matis premtoi se SHBA do t’i ndihmojnë Ukrainës të ndërtojë armatë moderne, por nuk përmendi asgjë për dorëzimin e armëve, komentojnë burimet.

Sipas burimeve, është biseduar edhe për mundësinë për dërgimin e misionit të armatosur me mandat të KB-së në Donbas.