Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Majk Pens, sot pasdite do të mbërrijë në Podgoricë ku nesër do të marrë pjesë në takimin e përfaqësuesve të lartë të vendeve anëtare dhe të vendeve mbikëqyrëse të Kartës së Adriatikut, kryesues i së cilës sivjet është Republika e Maqedonisë.

Siç kumtoi pres-shërbimi qeveritar, Republika e Maqedonisë së bashku me Malin e Zi është edhe bashkë-nikoqir i kësaj ngjarjeje të rëndësishme.

Pritet që nënpresidenti amerikan Pens ta theksojë përkushtimin e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe ta nënvizojë rëndësinë e qeverisjes së mirë, reformave politike dhe qeverisjes së të drejtës. Në samit do të marrin pjesë kryeministrat ose presidentët e vendeve anëtare të Kartës dhe të shteteve me status të mbikëqyrësve, ndërsa Maqedoninë do ta përfaqësojë kryeministri Zoran Zaev. Është paraparë që pas samitit, nënpresidenti i SHBA-së të ketë takime bilaterale me liderët e vendeve-pjesëmarrëse të samitit.

Kryeministri i Maqedonisë Zaev në virgjilje të samitit në Podgoricë, theksoi se në takimin me nënpresidentin Pens do ta theksojë vendosmërinë e Qeverisë së re për zbatim të reformave të domosdoshme për integrimin euro-atlantik dhe do të kërkojë mbështetje nga SHBA-ja dhe nga vendet e tjera anëtare të NATO-s për pranim të Maqedonisë në Aleancën Veriatlantike.

Edhe nënpresidenti i SHBA-së Pens në bisedën telefonike me Zaevin më 10 korrik, shfaqi pritje pozitive nga takimet me liderët e vendeve të Kartës së Adriatikut në Mal të Zi dhe e përsëriti mbështetjen e Uashingtonit në aspiratat euro-atlantike të Maqedonisë.

Në virgjilje të vizitës së nënpresidentit amerikan Pens në Podgoricë, mediat malazeze publikuan se në vijim janë përgatitje serioze, ndërsa masat e sigurisë gjatë qëndrimit të tij do të ngrihen në nivelin më të lartë.

Maqedonia, së bashku me Shqipërinë, Kroacinë, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën është anëtare e Kartës së Adriatikut (Adriatik Çarter), ndërsa Kosova, Serbia dhe Sllovenia kanë status të vendeve mbikëqyre në grup.

Grupi Karta e Adriatikut është formuar nën patronazhin e SHBA-së në vitin 2003 dhe ka për qëllim t’i koordinojë aktivitetet për mbështetje të vendeve aspirantë për anëtarësim në NATO.