Jose Mourinho do të përfshijë emrin e Zlatan Ibrahimovic në listën e futbollistëve të Manchester United të federuar për fazën e grupeve të UEFA Champions League, me shpresën te një rikuperim si me mrekulli.

Suedezi ka nënshkruar një kontratë deri në fund të sezonit për një pagë të reduktuar konsiderueshëm dhe po vijon terapinë rifaftësuese pas dëmtimit në krociatin e gjurit, të pësuar në prill.

Vetë Ibrahimovic shpreson të veshë fanellën e United dhe të futet në fushë përpara janarit, ndërsa Mourinho, edhe pse nuk ka shumë besim te mrekullitë, gjithsesi do ta përfshijë emrin e sulmuesit 35-vjeçar në listën e 25 futbollistëve për skuadrën europiane.

Ai nuk do të jetë gati për fazën e grupeve të Champions League. Unë nuk mendoj se ka ndonjë shans që të ndodhë, por kemi vend në listë, aq sa për ta vendosur emrin e tij. Ndaj nuk është e nevojshme të përjashtojmë ndonjërin nga lista, por gjithsesi nuk mendoj se Zlatan do të luajë ndonjë rol gjatë fazës së grupeve. Ai do të jetë një futbollist ekstra për ne në pjesën e dytë të sezonit. Kur them për pjesën e dytë të sezonit, normalisht e kam fjalën pas janarit. Le ta lejojmë atë të bëjë punën e tij hap pas hapi dhe të rikthehet kur të jetë gati”, theksoi trajneri i Manchester United, Jose Mourinho.