Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka shpalosur sot prioritetet e Parisit në fushën e politikës së jashtme, në tubimin e rreth 200 ambasadorëve francezë të akredituar në botë. Makron porositi se lufta kundër terrorizmit islamik është në krye të listës së prioriteteve të politikës së jashtme të Francës.

“Garantimi i sigurisë për qytetarët tanë nënkupton se lufta kundër terrorizmit islamik është prioritet”, tha Macron.

Ai gjithashtu tha se në shtator, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, do të zhvillohet edhe takimi i Grupit të Kontaktit për Sirinë dhe qartësoi se bashkëpunimi me Rusinë ka sjellë rezultate konkrete sa i përket reduktimit të përdorimit të armëve kimike në Siri. Por, lidhur me këtë, ai me këtë rast nuk shpalosi detaje.

Macron gjithashtu tha se nuk ka alternativë për marrëveshjen për programin bërthamor të Iranit, të nënshkruar në vitin 2015, i cili disa herë është kritikuar nga presidenti amerikan Donald Trump.