Talenti dhe risitë që kanë sjellë këngëtarët e rinj, ka ndikuar që kënga shqipe të dëgjohet edhe jashtë  vendeve shqiptare.

Gjersa, shumica ëndërrojnë ta kenë një talent të veçantë, siç është këndimi, disa e kanë dhe fillojnë ta përvetësojnë qysh herët.

Kështu ndodhi edhe me këngëtaren më të re që do t’i shtohet tregut të Kosovës, Luiza Hasani.

Luiza është vetëm 15 vjeçare, por kjo nuk ndikon që ajo të ketë një zë shumë të ëmbël dhe ta shfaq talentin e saj në muzikë.

Luiza vjen nga qyteti i bukur i Prizrenit dhe aktualisht ndjek studimet në shkollën fillore në Qëndresë të Prizrenit.

Në një intervistë për “Bota sot” Luiza ka treguar për veten e saj, jetën e saj dhe pasionin e saj, muzikën.

Ajo, tani do të bëjë promovimin e këngës së parë, mirëpo me muzikë ka filluar të merret qysh në moshë më të re.

Muzika për të domethënë pasion dhe frymëzim jetësor, dëshira për ta shprehur talentin.

Luiza ka rrëfyer se fillimisht ka qenë nëna e saj, e cila ka zbuluar talentin e saj, pastaj halla dhe të gjithë familjarët e kanë mbështetur, duke e shtyrë atë të merret edhe më tej me muzikën.

Ajo fillimisht, ka bërë një cover nga këngëtarja Kida, ndërsa tani kënga e saj e parë është baladë e ngërthyer me ritme.

Kënga është titulluar “ S’ta fali”, muzika Chipsi dhe Fatmir Muja+Urban entertainment., videoklipi është realizuar nga Imagine Films, Urban entertainment.

Aktualisht, Luiza është në studion Urban Entertime, të cilët edhe kanë kërkuar që ajo të qëndrojë me ata për shkak të talentit të saj.

Planet e Luizës janë që të vazhdojë me muzikë, mirëpo fillimisht pret reagimin e publikut për këngën e parë.

“Dua ta shikoj reagimin e publikut me këngën time të parë, pastaj do të vazhdojë menjëherë më këngën tjetër. Kënga e dytë do të dalë në nëntor, në mes të nëntorit apo në fund të nëntorit. Ajo do të jetë hip-hop” ka treguar Luiza.

Kohën e lirë, Luiza e kalon në vallëzim dhe tani është anëtarësuar edhe në një  shkollë të vallëzimit.

Luiza si idol ka këngëtaren e njohur, Dafina Zeqiri, prandaj shpreson që ndoshta në një të ardhmen të bëhet e njohur si ajo, pse jo edhe ndonjë duet me të.

Planet e Luizës për të ardhmen janë afat gjate,  por fillimisht dëshiron që publiku ta mirëpret atë dhe pastaj të vazhdojë më tepër,  pasi që mendon se ka mjaft për t’i dhënë publikut shqiptar, me zërin e saj dhe talentin që e ka.