Pasi LR PDSH-ja  me vendimin e kuvendarëve të Kuvendit Qendror, vendosi të riemërtohet në Aleancë për Shqiptarët, reagojnë partia Uniteti dhe Rilindja Demokratike Kombëtare e Vesel Memetit.

Kryetari i RDK-së Vesel Memedi konsideron se LR PDSH-ja ka përvetësuar emrin në mënyrë jo ligjore. Sipas Memedit, transmeton “Alsat-M” dokumenti i dorëzuar më 3 gusht në Regjistrin Qendror në të cilin njoftohet institucioni për mbyllje të koalicionit, nuk është nënshkruar nga subjekti i tij dhe se për një vendim të tillë partia e tij nuk ka mbajtur mbledhje.

I papërcaktuar mbete edhe subjekti Unitetit. Derisa strukturat e kësaj partie kohë më parë njoftuan publikisht se gëzojnë mbështetjen e pothuajse të gjitha degëve të partisë për t’u shkrirë në Aleancë për Shqiptarët edhe atë me pëlqimin e Kuvendit Qendror, kryetari i Unitetit Gëzim Ostreni thekson se degët nuk janë kompetente të vendosin për shkrirje në një subjekt ose jo.

Sipas Ostrenit, një vendim i tillë është duke u shqyrtuar, por që akoma nuk ka marrë dritë jeshile nga Kongresi i partisë.

Aleanca për Shqiptarët si koalicion u formua më 19 tetor, mes LR PDSH-së, Unitetit dhe RDK-së së Vesel Memedit. Koalicioni garoi bashkërisht në zgjedhjet parlamentare, duke siguruar tre mandate në Kuvend.

Pas kësaj lindi ideja që tre subjektet të shkrihen në një edhe për zgjedhjet lokale, por pavarësisht ftesës së vazhdueshme nga LR-PDSH-ja për shkrirje, partitë e koalicionit nuk arritën qëndrim unanim në strukturat partiake. Ideja e shkrirjes së Aleancës për Shqiptarët gëzoi vetëm mbështetjen e disa degëve dhe strukturave të Unitetit, por jo edhe të RDK-së.