Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se ky subjekt do të dalë me kuadrot më të mirë partiak, por janë të hapur edhe për kandidatë nga shoqëria civile.

“Jemi të gatshëm në çdo moment të konkurrojmë me kandidatët tonë në zgjedhjet lokale, duke ofruar alternativat dhe potencialin me të mirë kadrovik të subjektit tonë politik. Nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve lokale, jemi fokusuar në debatet e brendshme partiake, për të nominuar kandidatë potencial. Kjo përzgjedhje do të bëhet nga radhët e subjektit tonë politik, por nuk përjashtohet edhe mundësia e autoriteteve që kanë peshë në mjedise të ndryshme, apo nga sektori civil. E rëndësishme është që kandidatët tanë të kenë bagazh profesional dhe të gëzojnë reputacion në Komunat ku do të garojnë”, ka thënë për gazetën KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i LR-PDSH-së.

Ai nuk ka pranuar të jap emra konkret, megjithatë  nga burime tjera merret vesh se kryetari i LR-PDSH-së, Zijadin Sela, ka ofruar veten të jetë kandidat për Komunën e Strugës, ndërsa sekretari i përgjithshëm Arben Taravari – aktualisht ministër i Shëndetësisë, të jetë kandidat për Komunën e Gostivarit.

Megjthatë kandidatura e Arbën Taravarit është e lidhur me kandidimin e kryetarit Sela, ku nëse ky i fundit nuk do të kandidojë për Strugën, as në Gostivar nuk do të kandidojë Taravari.

Në Gostivar, përveç Arben Taravarit, kandidat më potencial janë edhe ish-ministri i Arsimit, Sulejman Rushiti dhe Halil Snopçe.

Në Kërçovë, Aleanca për Shqiptarët do të konkurrojë me Remzi Memedin, në Dibër me Ibrahim Kollarin, ndërsa në Çair me shumë gjasa ka Bujare Azizin.

Në Tetovë, ende nuk ka kandidatura të sigurta, por janë tre persona që pretendojnë kandidaturën: Adnan Azizi anëtar i Kryesisë qendrore, Arif Selami, kryetari Degës për Tetovë dhe Hajrullah Hasani – biznesmen nga kjo komunë.