Presidenti i Lazios, Claudio Lotito, premton luftë kundër të gjithëve për Balde Keita. Lojtari dëshiron të transfrohet te Juventus dhe, siç është bërë e modës këtë verë, po bën gjithçka për të detyruar klubin ta shesë. Lotito thotë se ka një problem në të gjithë Evropën, agjentët e lojtarëve.

“Është abuzim pushteti. Këta zotërinj, duke mos qenë të teseruar, nuk janë as subjekt i drejtësisë sportive. Është një studim që flet për 800 milionë euro në gjithë Evropën të shpenzuara si komisione për agjentët. Janë pará që dalin nga sistemi dhe nuk ri-investohen. Në Itali ka skuadra që çdo vit heqin mënjanë nga buxheti 50-60 milionë euro për komisionet. Janë pará të humbura”, thotë Lotito për Gazzetta dello Sport.

Presidenti thotë se West Ham, Milan e Napoli ofrojnë të gjitha dyfishin e asaj që ofron Juventus për Keitan, ndërkohë që Lazio i ka ofruar rinovimin lojtarit “me pagën e Miro Kloses (mbi 2 milionë euro), i cili është lojtari më i paguar nën drejtimin tim”.

“Juventus ofron 15 milionë, por unë nuk mund ta shes për ofertën më të ulët, kam marrë, 30 deri 32 milionë. Më thonë se është pranë skadencës dhe rrezikoj ta humbas me vlerën zero nëse nuk pranoj. Dhe unë ju them se kjo manovër përbën krim zhvatjeje”, thotë Lotito që shton se po merr në konsideratë rrugët ligjore për këtë çështje, ashtu si dhe për sjelljen e lojtarit, që mungon prej tri ditësh në stërvitje.